Deputetja e LDK-së dhe njëherësh ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se komunat nuk e kanë rritur tatimin në pronë, por Ministria e Financave.
Bajrami ka thënë se “mënyra e llogaritjes së tatimit në pronë është paracaktuar sipas Ligjit Nr 06/L-005 për Tatim në Pronë dhe qytetarët duhet ta dinë se komunat në kohën kur po flasim nuk e kanë bërë asnjë veprim për rritjen e tatimit në pronë, por është Ministria e Financave Punës dhe Transfereve e cila sipas Ligjit Nr 06/L-005 për tatimit në pronë, Nenit 18 e ka për obligim që t’i bëjë vlerësimet e pronave çdo 3 vjet, vlerësim të cilin së fundi e ka bërë në kushte të këtij inflacioni marramendës dhe ky vlerësim i fundit ka shpënë deri të fryrja enorme e faturave të tatimit në pronë e cila me të drejtë ka nxitur reagim qytetar”.
“Komunat i kanë normat e njëjta të tatimit sikurse edhe vitin e kaluar, të cilin e përcaktojnë në bazë të Ligjit Nr 06/L-005 për Tatimit në Pronë, Neni 9 i këtij ligji, u jep të drejtë komunave të caktojnë normat e tatimit në pronë mes minimumit dhe maksimumit, që është 0,15% deri 1%. Çka d.m.th. kjo, edhe nëse komuna e ka normën minimale që është 0.15% por Ministria e ka vlerësuar dyfish vlerën e pronës suaj, prapë tatimi është dyfishuar”, ka thënë Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka theksuar se zgjidhjen duhet ta ofrojë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
“1. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me një vendim të pezullojë rivlerësimin e fundit të patundshmërive në vendin tonë, sepse është bërë në kushte të një inflacioni enorm”, ka potencuar Bajrami.
“2.Të procedojë sa më parë në Kuvend Ligjin e ri për Tatim në Pronë, i cili është draftuar nga grupi punues që nga tetori 2022, me të cilin duhet të largohet pragu i poshtëm 0.15% dhe të mbetet vetëm pragu i lartë, në mënyrë që t’u lejohet komunave të bëjnë përshtatjen e normave të tatimit sipas rrethanave”.
Tutje, ajo ka theksuar se qytetarët nuk mund të përballojnë tatime më të larta.