Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, të martën e 24 janarit, kanë pritur me nderime të larta ushtarake në vizitën e tij lamtumirës, Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneral major, Benjamin J.Corell.
Me këtë rast për shërbimin e tij të paçmim dhe kontributin e dhënë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Gardës Kombëtare të Iowas, ministri Mehaj e dekoroi Gjeneralin Corell me Medalje për Shërbim të Shquar.
“Gjeneral Corell do të mbetet mik i përjetshëm i Republikës së Kosovës, ngase i pakursyer ka qenë në angazhimin e tij për të mbështetur Forcën e Sigurisë së Kosovës në ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve profesionale dhe operacionale duke e konsideron gjithmonë si partner besnik në zhvillimin e misioneve të përbashkëta, e realizimin e operacioneve paqeruajtëse”, thuhet në njoftimin e Mehajt.
Mehaj ka thënë se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i shkëlqyer në mes dy shteteve dhe forcave, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Sepse ndajmë po të njëjtat synime, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë”, shtoi ai.