Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar përmes një postimi zyrtar duke thënë se “komunat nuk e kanë ngritur pagesën e tatimit në pronë”.
Sipas AKK-së fatura e tatimit në pronë përmban “dy elemente mbi bazën e të cilave përcaktohet shuma e kësaj pagese: 1. Vlera e pronës për metër katror (m/2) e cila përcaktohet nga Ministria e Financave dhe Transfereve (Departamenti i Tatimit në Pronë) dhe 2. Norma tatimore e cila përcaktohet nga Komunat”.
Rreth dispozitave të Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme , AKK-ja ka thënë se autoriteti kompetent është Ministria e Financave, e cila përcakton “zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave”
“Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit”.
“Komunat nuk e kanë ngritur normën tatimore por është bërë rivlerësimi i pronave nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar edhe në çmimet e tregut” është shkruar ndër të tjera në postimin zyrtar të AKK-së.