Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me kryetarin e Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani, kanë pritur në takim gjatë ditës së martë, 16 gjyqtarët, të cilët janë licensuar për garat ndërkombëtare dhe me këtë rast edhe u janë dorëzuar stemat e FIFA-s.
Vit pas viti numri i gjyqtarëve kosovarë me stemë të FIFA-s është rritur, derisa për herë të parë Kosova është bërë edhe me treshe të gjyqtareve, pasi tashmë krahas Lumturije Muhadrit janë licensuar edhe Rita Vehapi, si gjyqtare kryesore dhe Fitore Govori si asistente.
Presidenti Ademi përgëzoi të rikonfirmuarit me stemë të FIFA-s, derisa gjyqtarëve që u pajisën për herë të parë me këtë stemë u shprehu urimet më të mira, me shpresë se do të kenë rrugëtim të suksesshëm në garat evropiane.
Ademi vlerësoi punën e gjyqtarëve, si në kampionatin vendor, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, derisa kërkoi nga ata që të vazhdojnë punën e tyre me përkushtim drejt progresit të mëtejshëm.
Ai u shpreh i lumtur që tashmë Kosova është bërë edhe me treshen e gjyqtareve për futbollin e vajzave/grave, gjë e cila, siç theksoi ai, dëshmon punën e mirë që viteve të fundit është për edhe në këtë segment.
Ndërkaq, në emër të kolegëve të tij, Genc Nuza falënderoi kreun e FFK-së për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë sektorit të gjyqtarëve, veçmas për instalimin e sistemit VAR në futbollin vendor dhe për mundësitë e ofruara për të qenë në hap me kohën dhe zhvillimet në futbollin evropian.
Kjo është lista e gjyqtarëve që kanë marrë stemën e FIFA-s:
Gjyqtarë kryesorë
1.Genc Nuza
2.Visar Kastrati
3.Mervan Bejtullahu
4.Rita Vehapi
Asistentë
1.Fatlum Berisha
2.Bujar Selimaj
3.Lumturije Muhadri
4.Fatmir Sekiraqa
5.Edmond Zeqiri
6.Besnik Morina
7.Granit Hyseni
8.Arbnor Bullatovci
9.Fitore Govori
Gjyqtarët e futsallit
1.Besar Beqiri
2.Besart Ismajli
3.Florentina Kallaba