Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se Bordi i Drejtorëve ka diskutuar për situatën aktuale të vërshimeve.
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza ka thënë se Mitrovica është përballur me vërshimin e tre lumenjve të cilët kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, shifra e të cilave arrin miliona euro.
“Fatmirësisht nuk kemi pasur viktima, të gjitha familjet që kanë pasur nevojë për strehim janë strehuar, kanë përkujdesje e mbikëqyrje nga komuna. Po ashtu kanë shujta ditore dhe gjëra elementare për jetesë”, ka thënë kryetari Hamza.
“Kryetari z. Hamza ka thënë se njerëz të vullnetit të mirë, donatorë dhe organizata bamirëse janë duke ndihmuar komunën me ndihma të konsiderueshme dhe ditët në vijim presim që të kemi mbështetje edhe më të mëdha”.
Mes të tjerash, në njoftimin e Komunës së Mitrovicës thuhet se kjo komunë do të qëndrojë pranë qytetarëve që janë prekur nga vërshimet, në mënyrë që ta tejkalojnë situatën me të cilën janë duke u ballafaquar dhe të rindërtojnë pronat private e ato publike.