Serbia vazhdon të jetë i vetmi vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk respektoi vendimet e reja të Këshillit të BE-së në lidhje me masat ndëshkuese ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.
Kështu ka bërë të ditur përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, shkruan N1.
Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina kanë respektuar pesë vendimet e Këshillit të BE-së në lidhje me sanksionet kundër Rusisë.
“Ato vende do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me vendimet e Këshillit dhe BE-së”, pohoi zyrtari evropian.
Ndryshe, Borrell u takua të martën në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Në këtë takim u diskutua për dialogun dhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.
Borrell e ka theksuar nevojën për t’i kapërcyer krizat eventuale ndërmjet dy vendeve.
“Për dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, përfaqësuesi i lartë Borrell përsëriti nevojën për të kapërcyer menaxhimin e përhershëm të krizës, dhe për këtë arsye pritet angazhim konstruktiv në propozimin e fundit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Ai e ka vlerësuar pozitivisht ndërhyrjen publike të presidentit Vuçiq për këtë çështje dje”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Në këtë takim është diskutuar edhe për marrëveshjet e arritura ndërmjet dy vendeve. Borrell ka theksuar se secila marrëveshje e arritur në Bruksel duhet të respektohet, duke vënë theksin te themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Përfaqësuesi i lartë më tej nënvizoi rëndësinë që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e Dialogut në pritje, duke përfshirë themelimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në njoftim.
Borrell e ka nënvizuar rëndësinë e vënies së sanksioneve ndaj Rusisë, pas agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar ndaj Ukrainës.