Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në adresimin e tij në mbledhjen e 121-të të Qeverisë ka diskutuar për situatën e fundit me vërshimet në Kosovë.
Kurti ka thënë se pas vëzhgimit të situatës në terren reagimi i institucioneve ka qenë i shpejtë.
“E kemi parë forcën shkatërruese të tyre, dëmet janë të mëdha, rreziku nuk ka kaluar i tëri, reagimi i institucioneve ka qenë i shpejtë, për fat të mirë pasojat janë vetëm materiale”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka folur edhe për shkaqet, të cilat, sipas tij, i kanë sjellë këto vërshime, duke i përmendur dëmtimet e brigjeve dhe të shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i shtretërve të lumenjve.
“Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet joadekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet”, ka vijuar ai.
Kryeministri Kurti ka thënë se duhet të ketë ndërgjegjësim institucional e mobilizim shoqëror në lidhje me situatat e tilla.
“Nuk mjafton rimëkëmbja nëse nuk nxjerrim mësime, nuk mjafton tejkalimi i situatës nëse ajo përsëritet, na duhet ndërgjegjësim institucional e shoqëror”.
“Komunave, familjeve, bizneseve dhe qytetarëve në zonat e prekura do t’u qëndrojmë pranë përherë. Ndihma nga qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva e të gjitha zonat e prekura bashkë do të ngrihen”.
Ai ka thënë se në këtë mbledhje do të shqyrtohen disa projektligje të rëndësishme, në mesin e tyre edhe ajo për Liritë Fetare.