Pas bojkotimit të konferencës nga gazetarët, e cila pritej të mbahej pas mbledhjes së Qeverisë, ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kryeziu ka shprehur keqardhje për këtë rast duke e arsyetuar vonesën e konferencës.
“Shprehim keqardhje për atë që ndodhi sot. Vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar”, ka thënë ai.
Sipas Kryeziut, mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht.
“Me gjithë konsideratën për punëtorët e mediave që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë”, shtoi ai.
Sipas gazetarëve që kanë qenë duke e përcjellë mbledhjen, vazhdimisht pas përfundimit të takimeve të ekzekutivit, u bie të presin deri një orë për konferencë.
Të mërkurën, para se të largoheshin nga salla e konferencave kanë pritur 40 minuta.
Arsyeja që u është dhënë për vonesën ka qenë që ekzekutivi ka pasur një takim të brendshëm.