Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka thënë se Qeveria e Kosovës qëllimshëm është duke marrë vendime vetëm për t’i varfëruar qytetarët e Kosovës.
Bunjaku ka thënë se vendimi i fundit për rritjen e tatimit në pronë, është i logjikës së njëjtë, varfërimi i qytetarëve në mënyrë që sipas saj ata të kontrollohen më lehtë.
“Kjo është logjikë e partive të majta, e LVV-së, që sa më shumë ta varfërojnë popullin dhe ta aq më shumë t’i menaxhojnë apo manipulojnë. Nuk është e vërtetë që komunat e rritin tatimin në pronë, është ministria, departamenti i pronës. Aty caktohen kufijtë, në bazë të kufijve komunat i marrin 20% të tatimit në pronë”, ka thënë ajo.
Bunjaku ka thënë se ministri Hekuran Murati, duhet ta nxjerrë një udhëzim administrativ në mënyrë që të vlejë vendimi i qeverisë së kaluar. Kështu sipas saj tatimi në pronë do mbetet siç ka qenë.
“Koordinatat caktohen nga departamenti i pronës, kurse komunat e paguajnë 20% e vlerës së objektit e përcaktuar nga ministria. Nëqoftëse një banesë ka kushtuar 60 mijë euro tash kushton 120 mijë, mandej normalisht rritet tatimi”, ka vijuar ajo.
Ajo ka thënë se propozimi i LDK-së, për heqjen e TVSh-së, për produktet bazë nuk është marrë parasysh nga partia në pushtet.
LDK ka kërkuar që të hiqet TVSH nga produktet bazë. LVV nuk e ka marrë për bazë këtë kërkesë të LDK-së.