Dëftesat e klasës së dhjetë e njëmbëdhjetë i ka kryesisht me nota të mira.
Këto rezultate i përkasin të burgosurit, Faton Hajrizi, i cili në vitin 2000 ishte burgosur pasi kishte vrarë një ushtar rus në Skenderaj.
Ai aktualisht vuan dënimin prej 25 vjetësh burgim në Burgun e Sigurisë së lartë në Gërdovc por familja e tij ka një kërkesë për Shërbimin Korrektues të Kosovës në mënyrë që i njëjti të përfundojë shkollën aty ku e kishte filluar.
“Po ashtu kërkojmë kthimin e tij në burgun e Dubravës ku ka qenë duke vazhduar edhe shkollimin dhe t’i mundësohet vazhdimi i shkollimit që do t’i mundësonte një rehabilitim më të mirë dhe mundësi më të mira për jetë edhe pas vuajtjes së dënimit”, thuhet në dokument.
Por, kjo nuk ishte hera e parë që Hajrizi ka ndërruar burgun për shkak të kërkesave të tij. Por, kjo kërkesë aktuale është tashmë në shqyrtim.
“Ju njoftojmë se z. Hajrizi me kërkesë të tij është transferuar nga Qendra Korrektuese e Dubravës në Burgun e Sigurisë së Lartë, ndërsa aktualisht është duke u shqyrtuar kërkesa e tij e radhës për t`u rikthyer në Qendrën Korrektuese të Dubravës”
Ndërkohë, monitoruesit e burgjeve po thonë se përfitimi i këtyre të mirave varët nga sjelljet e të burgosurit.
“Të burgosurit duhet ta kenë parasysh që burgu nuk është vend ku plotësohen dëshirat por është vend që duhet të reflektoj për veprën që ka bërë dhe vetëm në bazë të sjelleve të mira mund të kaloj nga një burg i tipit të mbyllur në një burg gjysmë të hapur apo të hapur”, ka deklaruar Behxhet Shala, nga KMDLNJ.
Prindërit e Faton Hajrizit iu kanë drejtuar edhe Presidencës me kërkesën për falje të dënimit me arsyetimin se ata janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Faton Hajrizi kishte arritur të arratiset tetë herë nga burgjet e Kosovës.