Plani evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka 11 pika, përmes së cilave po synohet që të normalizohen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, ka thënë se shteti i tij e përkrah në plotni këtë plan dhe se është dokument që do t’i normalizonte marrëdhëniet në mes dy vendeve.
Ai ka thënë se plani evropian nuk i zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet e krijuara ndër vite në mes të Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij do të zgjidhte shumë probleme.
“Nuk i zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet por është mirë të krijohet një dinamikë pozitive që ka ndërveprim. Ka shumë të zhdukur, çështjen e targave, rikthimin e serbëve në institucioneve. Nëse kemi një marrëveshje këto mund të zgjidhen shumë lehtë. Por nëqoftëse nuk jemi në një trajektore pozitive, menaxhimi i përhershëm i krizave, kjo energjia për të zgjidhur problemet në veri do të shkoj duke rënë”, ka thënë ai.
Ambasadori gjerman, u shpreh se çështja e Kosovës dhe Serbisë është çështje urgjente, marrë parasysh edhe problemet e brendshme që i ka BE-ja.
Ai ka thënë se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve është kusht për Kosovën e Serbinë për rrugën e tyre drejt BE-së, nëse nuk ka avancim, sipas ambasadorit Rohde, nuk do të ketë anëtarësim në BE.
“Nuk di për afate kohore. Kam përmendur çështjen urgjente, të gjithë e dinë që rruga drejt BE-së do të vazhdojë vetëm në këtë drejtim nëse ka përparim. Nëse nuk ka përparim nuk ka rrugë drejt BE-së’, ka thënë ai.
Rohde ka thënë se nëse Kosova nuk bën hapa përpara për një marrëveshje me Serbinë, atëherë Gjermania do të jetë skeptike se a do ta mbështesë apo jo Kosovën, për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare siç janë NATO, BE, apo KiE.