Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Karen Donfried, ka deklaruar se ShBA dhe Bashkimi Evropian nuk po përpiqen të imponojnë një zgjidhje për situatën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por për t’i ndihmuar këto dy vende që të marrin vendime të cilat janë të vështira.
Ajo ka thënë se ShBA-ja, e mbështet dialogun sepse sipas saj është rruga e vetme që Kosova dhe Serbia të bëhen pjesë të BE-së.
“Besoj thellësisht se qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë e shohin të ardhmen e tyre si anëtarë të plotë të komunitetit të Euro-Atlantik. Bashkimi Evropian prej vitesh ka ushqyer dhe po nxit një dialog. Shtetet e Bashkuara po e mbështesin këtë dialog, sepse ne besojmë se është rruga që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të plota të komunitetit Euro-Atlantik. A ka vendime të vështira që duhet të marrin Kosova dhe Serbia? Absolutisht. A do të jemi aty për t’i mbështetur ato ndërsa marrin këto vendime të vështira? Patjetër”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se Shqipëria mund t’i ndihmojë Kosovën dhe Serbinë, teksa ka shtuar se edhe ShBA do të ndihmojë por që nuk do të imponojë zgjidhje.
“Ne e dimë që edhe Shqipëria do të jetë aty për t’i ndihmuar këto vende të marrin këto vendime të vështira. Por ne nuk mund t’ua imponojmë atyre. Ato duhet të duan atë të ardhme dhe të jenë të gatshme të marrin vendimet, që mund të duken të dhimbshme, nëse ajo është e ardhmja që duan. Po e përsëris, ne do të jemi përkrah tyre, por ne vetëm mund të ndihmojmë dhe të përpiqemi ta sigurojmë atë të ardhme. Kosova dhe Serbia janë ato që duhet të bëjnë punën e vështirë”, ka thënë ajo.
Ndryshe, ShBA-ja ka theksuar vazhdimisht mbështetjen e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.