Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që të organizojë Kuvend të hapur për mediat dhe transparent.
Në një njoftim AGK-ja tha se pak orë para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të FFK-së, gazetarët dhe mediat në Kosovë nuk e kanë asnjë informacion për vendin dhe orën e kësaj ngjarjeje.
FFK-ja do të mbajë Kuvendin gjatë ditës së premte të 27 janarit.
Kështu, AGK-ja AGK-ja, i bën thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që të organizojë Kuvend të hapur dhe transparent, në mënyrë që opinioni të jetë i informuar për vendimet e rëndësishme që do të merren në këtë Kuvend.
“Kjo bëhet akoma më e rëndësishme në kohën kur shtëpia më e madhe e futbollit në vend nuk e ka përfunduar ende procesin e licencimit. Në cilëndo rrethanë, FFK-ja, duhet të krijojë kushtet e nevojshme për raportimin profesional të medieve”thuhet në njoftimin e tyre.