Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se komuna që ai drejton do të ndajë 500 mijë euro për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.
Kjo sipas tij për shkak se gjendja e shumë familjeve është e rëndë si pasojë e dëmeve.
“Duke qenë çdo ditë afër jush dhe duke parë gjendjen dhe dëmet e shkaktuara nga vërshimet, në procedurë ligjore dhe institucionale, Komuna e Mitrovicës do të ndajë gjysmë milionë euro për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në qytetin tonë”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar nga qytetarët të cilët dëshirojnë të ndihmojnë të lajmërohen në komunën e Mitrovicës, dhe pasi të identifikohen familjet që kanë nevojë për ndihmë të ndihmohen drejpërdrejt.
“Të gjithë ju që keni vullnetin e mirë për të ndihmuar qytetarët, ju lutem të lajmëroheni në komunë dhe komuna do të ju ndihmoj në identifikimin e familjeve që kanë nevojë për ndihmë dhe ju do të keni mundësi t’i ndihmoni drejtpërdrejt ato familje”, ka thënë Hamza.
Dëmet nga vërshimet konsiderohen që i kalojnë shifrat e dhjetëra miliona eurove.