Të enjten e 26 janarit, Radio Televizioni Dukagjini ka siguruar draftin e Asociacionit, i cili është hartuar si propozim nga fondacioni gjerman “Fridrih Ebert Shtiftung”, e i cili pritet të publikohet të hënën.
Ky fondacion ka thënë se në thelb ky është propozim i tyre.
Në draftin e statutit thuhet se Asociacioni do të themelohet në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të cenojë këtë frymë, e as marrëdhëniet me institucionet qendrore.
Dokumenti përmban 18 nene, ndërsa që në nenin e parë theksohet se Asociacioni është një entitet legal i themeluar në bazë të Kushtetutës dhe sistemit ligjor të Republikës së Kosovës.
Në 18 nene është vendosur baza e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, draft ky i propozuar nga Fondacioni për social – demokraci FES. Ky dokument që ende nuk ka dalë në publik është siguruar nga Radio Televizioni Dukagjini nga një përfaqësi diplomatike në Prishtinë. Në fillim të këtij dokumentit të propozuar nga FES, thuhet se ky mekanizëm themelohet në bazë të Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Normalizimi i Marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Viti 2023 është paraparë të jetë vit i dinamizimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë të cilit synohet përmbyllja e këtij procesi.
Të enjten, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ishte i ftuar në emisionin FIVE në RTV Dukagjini.
Ambasadori Rohde ka folur, ndër të tjera, për rëndësinë e propozimit të BE-së për normalizim raportesh në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe mundësinë që duhet palët ta shfrytëzojnë në këtë vit që të ecin përpara.
Ai ka shprehur qëndrimet dhe mendimet e tij rreth çështjeve të shumta të ndodhura së fundi në Kosovë.
Rohde është shprehur se vizitat e ndërkombëtarëve së fundi në Prishtinë janë avantazh për arritjen e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq, është shprehur se të dyja qeveritë duhet të tregojnë një vendosmëri politike e zotësi politike në këtë çështje.
“Edhe njëherë po e them, dy qeveritë duhet të tregojnë atë vullnetin dhe vendosmërinë politike që të shkojnë përpara, të investojnë kapitalin politik dhe të tregojnë zotësi politike dhe kjo do të ndodhë, në një farë forme do të ndodhë”, ka thënë Rohde.
Ndërsa, pas kësaj, ai ka theksuar se çështja e marrëveshjes është në fazat e saj të hershme dhe mendon se Kosova po punon në këtë aspekt.
Rohde për planin evropian: Ka forca brenda dhe jashtë Kosovës të cilat nuk duan të shohin sukses
Rohde ka deklaruar se ka forca të brendshme dhe të jashtme, të cilat nuk dëshirojnë të shohin sukses.
Ai këtë deklaratë e bëri duke iu referuar planit evropian, i cili, sipas tij, është në favor të Kosovës dhe Serbisë.
Rohde në emisionin “Five”, ka thënë se plani evropian është themeli për të lëvizur përpara.
“Në njëfarë forme do të ndodhë, përmes vëzhguesve analistëve dhe njerëz, të cilët në njëfarë mënyre nuk duan të shohin sukses dhe kjo do të krijojë ndërhyrje… Po, edhe brenda erdhe jashtë ka forca në vend, të cilave nuk i pëlqen kjo, çështje kryesore në procesin e hershëm cka na nevojitet tash është një përkushtim nga të dyja palët që ky dokument është themeli për të lëvizur tutje dhe mendoj që jemi duke punuar këtu në Kosovë, por ju duhet ta pyesni edhe qeverinë”, ka thënë ai.
Rohde ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund të japë garanci ligjore për Kosovën për njohje nga pesë vendet, të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Njohja e shtetit të Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, mbetet një çështje e rëndësishme për konfirmimin e shtetësisë së Kosovës.
Së fundmi, kjo është përmendur edhe si kërkesë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të bëhet pjesë e planit evropian për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Rohde ka thënë se BE-ja nuk mund të japë garanci ligjore se një gjë e tillë do të ndodhë.
Kështu duke lënë të nënkuptohet se njohja nga pesë vendet nuk do të jetë pjesë e dokumentit për një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Është e qartë se nuk mund të kërkosh garancion ligjor që BE-ja nuk mund ta japë, se çka është e mundur dhe kjo është diçka e dhënë dhe në njëfarë mënyre e mbështesim plotësisht pavarësinë. Nëse kjo ecë përpara dhe unë i kam parë themelet dhe ato që shpesh në media është cituar se çfarë ka ndodhur në mes të dy Gjermanive në vitin 1972. Në atë kohë Gjermania ka qenë në njëfarë mënyre sikurse Serbia, ne i kemi kërcënuar të gjithë ata të cilët e kanë njohur këtë gjermani me tërheqjen e njohjeve. Në momentin kur ka ndodhur kjo, ditën tjetër Franca, Mbretëria e Bashkuar, ShBA-ja, të gjitha e kanë njohur”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shteti i tij është duke e bërë më të mirën e mundshme që pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, të binden për ta bërë një gjë të tillë.
Po ashtu, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka pushtetin dhe fuqinë për të propozuar një draft të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, Kosova e ka pushtetin të propozoj diçka që nuk paraqet rrezik për shtetësinë e Kosovës, por Rohde ka theksuar në dy vitet e fundit nuk ka pasur angazhim sa i përket kësaj teme nga ana e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës, avokatë të Kushtetueses, dhe i japin ato propozimet në tavolinë, ju e keni pushtetin të paraqiteni diçka që nuk rrezik, atëherë do të krijoni një elefant të bardhë, dhe këto dy vitet e fundit është bërë si një elefant i bardhe, dhe Kosova ndikuar në këtë duke mos u angazhuar”, ka thënë Rohde.
E nëse nuk ndodh angazhimi i Kosovës, Rohde ka thënë se palët e tjera mund të angazhohen në këtë më qëllim jo të mira.
Plani evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka 11 pika, përmes së cilave, po synohet që të normalizohen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, ka thënë se shteti i tij e përkrah në plotni këtë plan dhe se është dokument që do t’i normalizonte marrëdhëniet në mes dy vendeve.
Ai ka thënë se plani evropian nuk i zgjidh të gjitha mosmarrëveshjet e krijuara ndër vite në mes të Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij, do të zgjidhte shumë probleme.
“Nuk i zgjidh të gjitha mosmarrëveshjet, por është mirë të krijohet një dinamikë pozitive që ka ndërveprim. Ka shumë të zhdukur, çështjen e targave, rikthimin e serbëve në institucioneve. Nëse kemi një marrëveshje këto mund të zgjidhen shumë lehtë. Por në qoftë se nuk jemi në një trajektore pozitive, menaxhimi i përhershëm i krizave, kjo energjia për të zgjidhur problemet në veri do të shkojë duke rënë”, ka thënë ai.
Ambasadori gjerman u shpreh se çështja e Kosovës dhe Serbisë është çështje urgjente, marrë parasysh edhe problemet e brendshme që i ka BE-ja.
Ai ka thënë se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve është kusht për Kosovën e Serbinë për rrugën e tyre drejt BE-së, nëse nuk ka avancim, sipas ambasadorit Rohde, nuk do të ketë anëtarësim në BE.
“Nuk di për afate kohore. Kam përmendur çështjen urgjente, të gjithë e dinë që rruga drejt BE-së do të vazhdojë vetëm në këtë drejtim nëse ka përparim. Nëse nuk ka përparim, nuk ka rrugë drejt BE-së’, ka thënë ai.
Rohde ka thënë se nëse Kosova nuk bën hapa përpara për një marrëveshje me Serbinë, atëherë Gjermania do të jetë skeptike se a do ta mbështesë apo jo Kosovën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare siç janë NATO, BE, apo KiE.
Ndryshe, krerët në Kosovë kanë thënë se propozimi i BE-së apo plani franko-gjerman, paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Serbi kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta.
Ndryshe, të mërkurën mbrëma ishte në një vizitë të paparalajmëruar i dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Pas takimit me kryeministrin Kurti, ishte bërë e ditur se janë pajtuar se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.