11 zyrtarë ose kanë dhënë dorëheqjen ose janë shkarkuar, gjersa Kievi përpiqet ta trajtojë korrupsionin qeveritar.
Kjo ka bërë që disa politikanë në SHBA të bëjnë thirrje që ndihma për Ukrainën të kufizohet.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, po përpiqet të rivendosë shpejt besimin e publikut, por akuzat janë serioze dhe koha mbetet e papërshtatshme.
Disa pretendime janë shfaqur falë Mykhaylo Tkach, një gazetar investigativ për uebsajtin e lajmeve Ukrayinska Pravda. Ai ka raportuar së fundmi se kompania e trajnerit personal të një zyrtari të lartë, dyshohet se ka marrë miliona paund që nga pushtimi në shkallë të gjerë, si dhe një histori për nënkryetarin e zyrës së Presidentit Zelensky.
Kyrylo Tymoshenko dha dorëheqjen dy muaj pasi Tkach raportoi se ai kishte zhvendosur familjen e tij në rezidencën e një ndërtuesi të njohur pronash.
Gazetari publikoi edhe pamjet, në të cilat, duket se zyrtari po drejtonte një Porsche të shtrenjtë për disa muaj. Ndërkaq, Timoshenko ka mohuar të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar.
“Goxha shpesh, me deputetë dhe zyrtarë, nëse burimi i parave të tyre nuk është i qartë, ata regjistrojnë pasurinë te njerëzit e afërt,” shpjegon Tkach. “Këto janë shenja të mostransparencës në një kohë kur çdo hap i një zyrtari duhet të jetë i qartë për shoqërinë”.
Gazetari pranon se korrupsioni ekziston në shumë vende. Kjo është arsyeja pse ai mendon se reagimi ndaj tij është më i rëndësishmi.
Qëkur Ukraina shpalli pavarësinë 31 vjet më parë, korrupsioni ka qenë i pranishëm në shërbimet publike, transmeton BBC.
Në vitin 2014, një revolucion popullor rrëzoi qeverinë e fundit me prirje nga Moska, sepse njerëzit donin të jetonin më në fund nën një demokraci.
Që atëherë, Ukraina ka tentuar një sërë reformash, veçanërisht të nxitura nga fushata e mëvonshme e agresionit të Rusisë ndaj vendit. Ndryshimi shihej si thelbësor për të siguruar mbështetjen e vazhdueshme të Perëndimit.
Më pas u krijuan agjenci të reja kundër korrupsionit, së bashku me sisteme të reja për shpenzimet e qeverisë, një forcë e re policie dhe politikanët u detyruan të zbulonin pasurinë e tyre – shpesh me rrëfime mbresëlënëse.
Përpara pushtimit rus, aleatët perëndimorë si Bashkimi Evropian dhe SHBA nuk ishin të kënaqur me ritmin e përpjekjeve të Kievit për ta luftuar korrupsionin.
Ndërsa, nuk është e qartë se cili do të jetë dëmi politik i akuzave të vitit 2023 për presidentin Zelensky, përgjigjja e tij ndaj tyre këtë herë është përshkruar si “e shpejtë dhe vendimtare” nga SHBA.