Dy persona të gjinisë femërore (M.A., F.G.) janë plagosur me armë zjarri në Fushë-Kosovë, të shtunën.
Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ndërsa ekipi i RTV Dukagjinit, i cili po raporton drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes, mëson se viktimat janë nënë e bijë.
“Sot rreth orës 11:45, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ‘Besa Besë’ në Fushë-Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor”, ka deklaruar Ahmeti.
Ahmeti ka treguar se një person i dyshuar është identifikuar dhe se veprimet e nevojshme lidhur me rastin janë duke u ndërmarrë.
“Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar ( i cili është identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka deklaruar Ahmeti.
Ndërkohë, Portali Dukagjini, nga ekipi i cili po raporton drejtpërdrejt nga Fushë-Kosova, ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes.