Ushtria e Ukrainës ka njoftuar të dielën se forcat e saj zmbrapsën një sulm në zonën e Blahodatne, në pjesën lindore të rajonit të Donetsk, ndërsa grupi ushtarak privat rus, Wagner, ka thënë se mori kontrollin e fshatit.
“Njësitet e Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës zmbrapsën sulmet e pushtuesve në zonat e Blahodatne, në rajonin e Donetsk”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në raportin e tij të përditshëm të mëngjesit, duke iu referuar luftimeve të së shtunës.
Po ashtu, ai ka shtuar se forcat e saj zmbrapsën sulmet ruse në zonat e 13 vendbanimeve të tjera në rajonin e Donetsk.
Grupi Wagner, i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara si organizatë kriminale transnacionale, ka thënë në aplikacionin e mesazheve Telegram, të shtunën, se njësitet e tij kishin marrë kontrollin e Blahodatne.
Me nxehjen e luftimeve në rajonin e Donetskut, linja e saktë e kontaktit ka qenë e paqartë, veçanërisht rreth qytetit Bakhmut, ku disa nga luftimet më të rënda të luftës janë zhvilluar javët e fundit.
Ukraina ka thënë se ofensiva ruse në Bakhmut nuk ka arritur kulmin, por situata përgjatë vijës së frontit atje ka qenë gjithnjë e më e vështirë.
Ndërsa, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të premten se ishte akut, raporton Reuters.
Katër civilë u vranë, një në Bakhmut dhe 17 u plagosën në sulmet ruse në rajon të shtunën, ka bërë të ditur Pavlo Kyrylenko, guvernatori i rajonit të Donetsk në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Ukraina ka marrë premtime për tanke beteje perëndimore dhe po kërkon avionë luftarakë për t’u rikthyer kundër forcave ruse dhe proMoskës, të cilat po avancojnë ngadalë përgjatë një pjese të vijës së frontit.
Të shtunën, ndihmësi kryesor i Zelenskyt ka thënë se bisedimet e përshpejtuara ishin duke u zhvilluar midis Ukrainës dhe aleatëve të saj, në lidhje me kërkesat e saj për raketa me rreze të gjatë veprimi, për të parandaluar Rusinë që t’i shkatërronte qytetet ukrainase.