Propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve, ish-kryeministri i Suedisë, dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, po e konsideron si një “ofertë të drejtë”.
Bildt e ka cicëruar postimin e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, i cili kishte cituar qëndrimin e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke u shprehur “nënshkruani marrëveshjen ose përballuni me pasoja”.
Sipas Bildt, marrëveshja e propozuar nga BE-ja do t’i lejonte që të dy vendet të ecnin përpara.
Ai thotë se nuk ka asnjë rrugë tjetër realiste përpara për asnjërën nga dy vendet.
“Është një marrëveshje e drejtë për Kosovën dhe Serbinë që është në tavolinë tani. Kjo do t’i lejonte që të dy të ecnin përpara, të përmbushin kërkesat e rëndësishme themelore të të dyve, por të shmangen nga kërkesat e tyre maksimale përkatëse. Thjesht nuk ka asnjë rrugë tjetër realiste përpara për asnjërin nga dy vendet”, shkroi ai.
It’s a fair deal for 🇽🇰 🇷🇸 that’s on the table now. It would allow both of them to move forward, meets important basic demands of both, but shies away from their respective maximum demands. There is simply no other realistic way forward for either of the two countries. https://t.co/tYZMOMl7Pc
— Carl Bildt (@carlbildt) January 29, 2023
Edhe diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, kishte thënë se propozimi franko-gjerman nuk përcakton një zgjidhje përfundimtare, por është një hap i rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, në këtë plan nuk ka njohje zyrtare diplomatike.
“Propozimi franko-gjerman nuk përcakton një zgjidhje përfundimtare, por është një hap i rëndësishëm i ndërmjetëm në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nuk ka njohje zyrtare diplomatike, por sipas modelit të bashkëpunimit gjermano-gjerman, hapa të rëndësishëm duhet të ndërmerren në mënyrë pragmatike në normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve”, ka thënë Petritsch.
Petrich tha se BE-ja dëshiron sukses në këtë vit sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.