Çështja hetimore për ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, ka bërë jo pak zhurmë mediatike edhe në Shqipëri. Ish-zyrtari i lartë u përfol për takimin me kryeministrin Edi Rama teksa ishte në detyrë.
Në një artikull të gazetës amerikane, New York Times, thuhet se nuk ka indikacione që McGonigal, kishte punuar për oligarkun rus, Oleg V Deripaska, derisa ishte në FBI.
“Nuk ka asnjë tregues në aktakuzën e Manhatanit se z. McGonigal punonte për Oleg Deripaska, ndërsa ishte ende i punësuar në FBI. Çështja ende po hetohet dhe një aktakuzë paralele në Uashington që e akuzonte zotin McGonigal se kishte marrë të paktën 225.000 dollarë pagesa sekrete nga një ish-punonjës i një shërbimi inteligjent shqiptar kur ishte ende në agjenci, ka ngritur pikëpyetje se sa i kompromentuar mund të ketë qenë ai në këtë çështje”, thuhet në artikullin e New York Times.
Ish-zyrtari i lartë i FBI-së po hetohet në SHBA dhe Uashington për dy akuza. E para me dyshimin se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Ndërsa, akuza e dytë lidhet me dyshimet se McGonigal ka marrë 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani, Agron Neza, për të ndikuar që një koncesion të majmë të hidrokarbureve t’i jepej një kompanie të administruar nga Shefqet Dizdari, i cili më pas bëhet edhe ortak biznesi me Nezën, raporton abcnews.