Të hënën, në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje, sekretari Organizativ, Alim Rama dhe sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku, kanë mirëpritur në takim drejtorin e FES për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, René Schlee.
Në këtë takim thuhet se është ritheksuar qëndrimi i VV-së kundër themelimit të asociacionit dhe çdo marrëveshjeje tjetër mbi baza etnike.
“Veç tjerash, në këtë takim ritheksuam qëndrimin e LVV kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike”.
Gjatë këtij takimi është vlerësuar bashkëpunimi i mirë në mes të LVV-së dhe FES ndër vite.
“U dakorduam për koordinimin e bashkëpunimit për vitin 2023, me theks të veçantë në fuqizimin e kapaciteteve organizative, politikën publike dhe qeverisjen lokale”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se bashkëpunimi në mes të LVV-së dhe Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë do të jetë një nga objektivat kryesore gjatë këtij viti, në kuadër të rritjes së koordinimit me familjen Socialdemokrate në Evropë dhe në botë.
“Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, brenda kornizave ligjore/kushtetuese”.
VV-ja ka ftuar FES që të bëjnë një studim krahasimor për respektimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë dhe në vendet e tjera përfshirë Serbinë.