Në këtë oborr të fshatit Tushilë të Skenderajt pak dallohet nga shtëpia e familjes Imeri.
Aty ka mbetur shtëpia e tyre e shkatërruar thuajse krejtësisht nga vërshimet që ndodhën më 19 janar pas reshjeve të shiut në Kosovë.
Por, komuna më e prekur ishte Skenderaj e që banorët ende po i vuajnë pasojat.
Jetullah Imeri tregon si shpëtuan fillimisht kur panë rrezikun nga përmbytjet.
Jetullah Imeri, banor i Tushilës ka thënë se “ Gjithsej 11 anëtarë kemi qenë në shtëpi dhe e ka rrënu nuk shihet as kati i parë. Nana ka qenë 90 vjeçare, të paren e kemi largu nga shtëpia, pastaj ne të gjithë kemi dalë nga një dritare që tashmë nuk shihet e katit të parë. Kjo ka qenë hala ma vështirë, ne kemi qenë të kallur në luftë, por i kemi ndërtu mas lufte”.
Që nga ajo ditë, Jetullah Imeri është dashur të bëjë një zgjidhje alternative për banim.
“Jemi të vëllau së bashku tu jetu. Kjo kurrë s’ka qenë kështu. E kemi pyet më të vjetrin këtu, thotë se nuk ka qenë asnjë herë kështu, është hera e parë që ka ndodhë” ka thënë Imeri ndër të tjera.
Ai rrëfen edhe se vlera e dëmit është e madhe. Sipas llogaritjeve të familjes, mbi 50 mijë euro do t’u duhen që ta bëjnë shtëpinë përsëri të banueshme.
Dëme të ngjashme ka pothuajse në të gjitha shtëpitë e fshatit Tushilë.
“Kësi rasti thojnë që nuk ka ndodhë, nuk manë mend askush që ka ndodhë najherë kështu. Dëme ka të mëdhaja në fshatin tonë. Shpijat janë dëmtuar shumë, demet janë katastrofale” ka thënë Granit Murati, banor i fshatit Tushilë e Skenderajit.
Edhe të tjera fshatra të Skenderajt dhe përgjithësisht e gjithë Komuna llogaritet se kanë mbi 15 milionë euro dëme nga vërshimet.