“Në këtë 26-vjetor të rënies së heronjve tanë, i përkujtojmë si lajmëtarë të lirisë, për frymëzimin e jashtëzakonshëm që dha Zahiri me shokë, për të gjithë ushtarët e UÇK-së, për ata që luftonin së bashku me Zahirin, dhe të gjithë që iu bashkuan UÇK-së edhe pas rënies së tyre”.
Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa ka përkujtuar heroin Zahir Pajaziti, duke bërë homazhe te shtatorja e tij në 26-vjetorin e rënies, së bashku me Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxhën.
Presidentja e vendit ishte e shoqëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zv.kryeministrja Donika Gërvalla dhe ministra të kabinetit qeveritar.
E para e vendit ka thënë se kjo ditë është prej ditëve më të lavdishme të UÇK-së dhe të gjithë Republikës së Kosovës, republikë, e cila u ndërtua mbi themelet e forta dhe mbi gjakun e dëshmorëve dhe heronjve.
“Respekti për ta do të mbesë i përjetshëm, do ta ketë udhërrëfyes pikërisht këtë sakrificë, këtë heroizëm”, ka vijuar Osmani, teksa ka shtuar se “puna jonë në forcimin e shtetit që u ndërtua me gjak e sakrificë do ta ketë shembullin e tyre që u dha 26 vjet më parë”.
Ndryshe, më 31 janar të vitit 1997, ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.
Aktivitetet ushtarake, Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve 90-ta.
Në rrethanat e krijuara gjatë grevave të përgjithshme në Kosovë, të mbajtura më 3 shator të vitit 1990, Zahiri dhe aktivistët e tjerë filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti sigurimi në Kosovë.