Këtë të martë, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur për diskutim çështjen e tatimit në pronë.
Së fundmi, janë rritur çmimet e faturave për tatimin në pronë, duke bërë që shumë qytetarë të reagojnë.
Më herët, Komuna e Prishtinës ka thënë se ka ndryshuar vlerësimi i pronave në Prishtinë, dhe të njëjtin e ka bërë edhe Ministria e Financave.
Nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj, ka thënë se Prishtina ka kërkuar nga Ministria e Financave rivlerësim, “sidomos në këtë kohë krizë”.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal, me një pikë të rendit të ditës, faljen e tatimit në pronë në vlerë deri në 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kryeqytetit për vitin 2023.