Edhe gjatë ditës së sotme, po vazhdon greva e arsimit në Maqedoni. Këtë e bëri të ditur kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), Jakim Nedellkov duke thënë se nuk kanë pranuar ofertën e Qeverisë për 12 për qind të pagave.
Greva vazhdon vetëm në shkollat fillore dhe të mesme, ndërsa punonjëset në çerdhe përfunduan grevën dhe kanë nisur punën.
”Nga gjithsej 480 organizata sindikale që dhanë të dhëna për deklarimin e tyre, 388 ishin për vazhdim të grevës dhe 83 për ndalim. Pjesa më e madhe që ishin për ndalimin e grevës janë organizatat sindikale e çerdheve”, tha Nedellkov.
Kreu i SASHK-ut paralajmëroi edhe protestë të madhe para Qeverisë, më 4 maj dhe i bëri thirrje qeverisë që të pranojë kërkesat e tyre.
Greva e arsimit në Maqedoni ka filluar më 10 prill 2022, pasi SASHK-u i ka kërkuar Qeverisë ngritjen e pagave për 18.4 për qind.
Gjatë javës së kaluar, Qeveria ka bërë ofertën e rritjes së pagave për 10 për qind, ofertë të cilën SASHK-u e ka refuzuar duke mbajtur qëndrimet se rritja e pagave duhet të jetë për 18.4 për qind.
Kështu, të martën e 26 prillit, Qeveria ka thënë se do të bëhet rritja e pagave për 12 për qind, e cila do të zbatohet me ribalancimin e buxhetit, si dhe thekson se do të ketë rritje të vazhdueshme të pagave në arsim.