Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), me rastin e abuzimit të fëmijës nga Iljasa Fazliu, ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe hetimin e komisionit disiplinor, me anë të një ankese drejtuar drejtores së ShSKUK, Dr. Narqize Hoxhaj-Arenliu.
Me anë të kësaj ankese, është njoftuar gjithashtu Inspektorati Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë, thuhet në njoftimin e QIPS.
“Ne presim gjatë kësaj jave një përgjigje ndaj ankesës tonë, e cila duhet të rezultojë në shkarkimin e menjëhershëm të Iljasa Fazliut, pasi ai paraqet rrezik për shëndetin publik”, vijon njoftimi.
Sipas kësaj qendre, vendime të cilat normalizojnë dhunën dhe amnistojnë abuzuesit në institucione publike, nuk duhet të pranohen.
“Rrjedhimisht çdo përgjigje e cila nuk rezulton në shkarkimin e Iljasa Fazliut është e papranueshme”.
“Ne shpresojmë se ankesa do të adresohet së shpejti. Në rast se ShSKUK dështon në përgjegjësinë e saj për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, ne do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkimin e Iljasa Fazliut në forma të tjera”.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), më 20 janar, kishte bërë të ditur se mjeku është rikthyer sërish në punë në QKUK “vetëm si logoped në Klinikën e ORL-së, por jo u.d. shef i shërbimit”.
“Këtë vendim, Komisioni Disiplinor e ka bazuar në Certifikatën mbi Dënimet Penale të lëshuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku I.F figuron se nuk është i dënuar me Aktgjykim të formës së Prerë”, thuhej në përgjigjen e QKUK-së për Portalin Dukagjini.
Ndryshe, logopedi për të cilin ishte raportuar se ka abuzuar në ordinancën e tij me një fëmijë me autizëm, nuk kishte licencë të logopedit nga Oda e Infermierëve.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Gjilan i kishte caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurit I. F, i cili dyshohet se ka keqtrajtuar një fëmijë me autizëm, duke u ngarkuar me veprën penale, “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.