Këtë të martë, Gjykata Themelore në Gjilan i ka dënuar me nga tre vjet burgim dhe 300 euro gjobë, dy të akuzuar me inicialet B.H dhe B.A, për kryerjen e veprës penale, trafikim me njerëz.
Gjykata Themelore në Gjilan ka njoftuar se të akuzuarit në dy lokacione të ndryshme, në një motel dhe një kafeteri, e kanë trafikuar një vajzë nga Komuna e Istogut, me inicialet A.H, me qëllim për ta shfrytëzuar seksualisht.
“Të pandehurit, gjatë vitit 2021 në bashkëveprim në dy lokacione të ndryshme në motel në fshatin Domorovc, Komuna Ranilluk dhe në kafeterinë në fshatin Dobërçan, Komuna e Gjilanit, e kanë trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual të dëmtuarën A. H. nga Komuna e Istogut, duke e ditur gjendjen e saj të rëndë ekonomike-sociale, në atë mënyrë që e njëjta të ofrojë shërbime seksuale me pagesë personave të ndryshëm”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, njoftohet se me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprën penale trafikim me njerëz, e cila është vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Trupi gjykues nga Departamenti Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve, duke i shqiptuar dënim burgu në kohëzgjatje prej tre vjet (3) dhe gjobë 300 (treqind) Euro, për secilin veç e veç”, thuhet tutje në komunikatë.