“Është e vërtetë që nostalgjia është e madhe… ndodh kur jam vetëm më kujtohen lëvizjet me ta, me Hakifin dhe Zahirin”, kështu u shpreh ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Ajeti.
Në sheshin që dikur ishte rrugë, në zemër të Llapit, kujtime për shokët e zemrës.
Me Zahirin e Hakifin, dallonin për nga moshë por jo idealet.
Avni Ajeti 18 vjeç atë kohë, bashkë me ata që s’i ndante as gjumi, ia kthyen tytën e pushkës Serbisë.
“Në vitin 96, më 2 gusht janë sulmu të gjitha pikat e stacioneve, postblloqet pra, si në Kërpimen, Lluzhan, Podujevë. Dhe unë e pata fatin që të jem në mes të qytetit me Zahirin, të sulmojmë stacionin e Policisë, ku realisht mu mu caktu detyra që të hedhi bombën mbi stacion të policisë, dhe ai të më mbulojë mua deri të tërhiqem”, ka thënë Ajeti.
Avniu e Hakifi ishin disa nga ushtarët me role të ndryshme, ndërsa Zahiri koka. Themeluesi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, organizonte sulme e i mblidhte shokët. Thirrjen e fundit për kushtrim e la në telefonin e Hakif Zejnullahut.
“Më datë 31 janar rreth orës 10:40 axhi Hakif e ka pranuar një mesazh me ato mjetet e komunikimit që i kanë pasur në atë kohë përkatësisht “pejxher që janë quajtur, e ka pranu një mesazh prej Zahirit, i cili i ka thanë Hakif nisu menjëherë për Prishtinë”, shprehet mbesa e Hakif Zejnullahut, Floretë Zejnullahu.
Me “Lladën” e gjelbër, nga Lladovci i Podujevës, Hakifi u nis për në vendin ku thirri për takim me Zahirin. Djemve nga Llapi iu bashkua edhe një bashkëluftëtar tjetër nga Dukagjini.
“Janë nisur prej stacionit të autobusëve prej Prishtinës, axhi Hakifi, bashkë me Zahirin edhe Edmondin, edhe gjatë gjithë rrugës kanë qenë të përndjekur. Gjatë gjithë rrugës kanë shkëmbyer gjuajtje me armë zjarri me forcat, serbe dhe në Pestovë të Vushtrrisë, nuk kanë mundur më të rezistojnë, ose është dashur të rezistojnë ose të bien heroikisht”, ka theksuar Zejnullahu.
Në vendin ku ranë heroikisht tre strategët e UÇK-së, ka ardhur për homazhe motra e Edmondit. Lumnie Rama tregon takimin e fundit me vëllain, të cilin e kishte të ftuar për iftar, një ditë para se të bie në pritë nga forcat serbe.
“Tha dikush duhet, unë jam pa obligime pa fëmijë, s’la dikë tu qajtë pas, kështu që më takon me e bo luftën. Po thash kur të fillon lufta, po, unë i thash. Po atëherë kur të bohet lufta më tha unë kam me qenë i pari aty. Edhe ka dal ma dha një kasetë të Dervish Shaqës tha ndëgjoje nganjëherë, edhe tu zbrit shkallve dorën lart, se kam pa më”, u shpreh Rama.
Lumnia ka theksuar se 26 vjet pas bisedës së fundit me vëllain i kujton fjalët me të cilat u përshëndet “Lume në këto dy ditë, ia ninë krismën”.