Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e cila u nënshkruar në vitin 2013, sipas aktivistit të PSD-së, Zgjim Hyseni është anti-kushtetuese.
Ai në Debat Plus, ka thënë se nëse asaj marrëveshje e i hiqet “vula” e marrëveshjes ndërkombëtare e cila pastaj u votua me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës, do të dilte në kundërshtim me ligjet kushtetuese të Kosovës.
“Nëse e heq vulën e marrëveshjes ndërkombëtare kjo marrëveshje del anti-kushtetuese. Arsyeja është që nuk është trajtu sepse ka qenë e bllokuar si marrëveshje ndërkombëtare, Asociacioni është duke u formu në bazë të kësaj marrëveshje”, ka thënë ai.
Sipas Hysenit, nëse themelohet një Asociacion i tillë, atëherë do të ishte shumë i dëmshëm për Kosovën.
Ai ka thënë se ajo marrëveshje parasheh që komandanti regjional i komunave serbe do të ishte patjetër i etnisë serbe.
“Gjasat që nëse bëhet një Asociacion është të shihet çfarë përmban marrëveshja e 2013. Aty thuhet se komandanti regjional i Policisë duhet të jetë serb i zgjedhur prej atyre komunave”, ka thënë ai.
Marrëveshja e vitit 2013 sipas tij e parasheh po ashtu Gjykatën e Apelit dhe nivelin regjional të policisë që është me bazë etnike.