Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka nisur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç njofton televizioni serb, RTS, Daçiq do të jetë në Washington për të marrë pjesë në ceremoninë “Lutjet e Mëngjesit” që do të mbahet të enjten e 2 shkurtit.
Përveç kësaj, ai do të takohet me zyrtarë të lartë amerikanë, si me këshilltarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet dhe të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kjo vizitë e tij vjen në një kohë kur bisedimet Kosovë-Serbi janë në fazën e “intensfikimit”.
Ndryshe, të martën e 31 janarit Ambasada amerikane në Prishtinë ka organizuar një takim për të diskutuar për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik të saj”.