Eksperti britanik për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të sigurisë, Daniel Smith, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po përpiqet që ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe, sipas Smith, presidenti serb duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit.
Kështu është shprehur Smith në një intervistë për gazetën opozitare serbe ”Danas”, teksa theksoi se “aktivitetet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit janë intensifikuar, gjë që ilustrohet më së miri nga prania e mercenarëve rusë ‘Wagner’s’ dhe ‘Ujqërit e Natës’ në barrikadat që strukturat e Serbisë kishin ngritur me urdhër të Aleksandër Vuçiq-it në veri të Kosovës”.
Smith theksoi se nuk është sekret që Vuçiq e përdor çështjen e Kosovës për të shpëtuar veten nga problemet reale me të cilat ballafaqohen qytetarët e Serbisë.
“Vuçiqi dhe elitat politike në Serbi nuk u shkëputën nga mentaliteti i (Slobodan) Millosheviq-it, ata kontaminuan opinionin publik në Serbi me tema të nacionalizmit, urrejtjes për të tjerët dhe kundër vlerave perëndimore”, është shprehur ai.
Po ashtu, ai ka potencuar se arritja e një marrëveshjeje eventuale me Kosovën në bazë të propozimit franko-gjerman dhe në frymën e kompromisit do të jetë e vështirë, për shkak të strategjisë tashmë të njohur të Vuçiq-it “përshkallëzim pastaj depërshkallëzim”.
“Ai përpiqet të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja. Derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, ai do të shkaktojë sërish tensione që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin”, ka thënë Smith.
Teksa ka komentuar presionin perëndimor ndaj Kosovës lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Smith ka thënë se ajo që Perëndimi duhet të ketë parasysh është se Kosova nuk mund të bëjë kompromis me shtetësinë e saj dhe karakterin multietnik të shtetit.
“Historia ka vërtetuar se entitete si Republika Srpska janë të rrezikshme për stabilitetin e shteteve multietnike, stabilitetin rajonal dhe mund të shërbejnë si një mjet për Serbinë dhe Rusinë për të destabilizuar Ballkanin”.
Eksperti britanik thotë se “Kosova është një rast i veçantë i ofrimit të gamës më të gjerë të të drejtave dhe lirive për pakicat në Evropë dhe në botë”.
Sipas tij, Vuçiq është i interesuar të përdorë serbët e Kosovës si “skllevër të tij personal, për të forcuar nacionalizmin, për vota dhe për të qëndruar në pushtet dhe si pengje të presionit ndaj bashkësisë ndërkombëtare”.