Kurti: Asociacioni njëetnik nuk është i mundshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se një asociacion njëetnik nuk është i mundur në një Kosovë shumëtnike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka thënë se një asociacion njëetnik nuk është i mundshëm në Kosovën me kushtetutë shumetnike.

Sipas tij, Kosova s’mund ta kompensojë Serbinë, por është Serbia ajo që duhet ta kompensojë Kosovën për luftën.

Ai këto deklarata i ka bërë pas një vizite në një biznes në Ferizaj.

“E kemi thënë qëndrimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Asociacion njëetnik me Kosovën me kushtetutë shumetnike s’është i mundshëm. Kur e kemi shpallur pavarësinë thoshin se edhe pse Kosova i ka 93 për qind shqiptarë, s’mund të cilësohet shqiptare, por multietnike. Ama tash s’mund të bëhet asociacion njëetnik. Ne e kemi Asociacionin e Komunave të Kosovës”.

Ndër të tjera, Kurti ka thënë se është kryeministër i të gjithëve dhe se respektohen nevojat e pakicave pa dallim.

“Jam qytetar i Kosovës që edhe si aktivist politik, edhe si deputet opozitar, dhe edhe sot si kryeministër është angazhuar e afirmuar të gjitha të drejtat e pakicave pa dallim. Kërkesat, nevojat e qytetarëve serbë dhe çdo pakice jam kryeministër edhe i tyre dhe i plotësoj. Por s’mund ta kompensojmë Serbinë për luftën e humbur në pranverën e vitit 1999, por ajo duhet të na kompensojë për dëmet që na ka shkaktuar edhe në njerëz edhe në të mira materiale”.

Sipas tij, shumë më tepër ka shqiptarë në Serbi sesa në Kosovë dhe se pakicat në Serbi janë gati 20 për qind, në Kosovë gati 7 për qind.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se është e padrejtë, e dëmshme dhe e papranueshme që në Kosovë të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe e në Luginë të Preshevës të ketë Këshill Nacional Shqiptar.

“Nëse Serbia dëshiron që në Kosovë të ketë zgjedhje njëetnike le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”.

Ai ka thënë se është i hapur për diskutime mbi bazën e propozimit të Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Por para së gjithash më duhet ta respektoj kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Republika dhe demokracia duhet mbrojtur. 33 marrëveshje i kanë bë për 10 vjet para se të vijmë ne në pushtet. Nuk mund ta zgjedhin njërën prej tyre që është e preferuar për ta dhe e kanë shkelur në mënyrë të dyfishtë edhe kanë urdhëruar dorëheqjet kolektive në veri, që është shkelje e marrëveshjes 2013, dhe në dhjetor u kanë dërguar letra pesë shteteve të BE-së që nuk na njohin të mos pranojnë aplikimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. E kanë shkelur marrëveshjen e tyre më të dashur”, ka vijuar Kurti.

Ai ka shtuar se në nenet e propozimit të BE-së nënkuptohet edhe çështja e Asociacionit, por ka thënë se ajo s’është as në preambulë e as në nenet e para.

“Nuk mund ta nxjerrësh qerren para kalit”.

“Le t’i hapim diskutimet në Bruksel në nivelin e lartë dhe të diskutojmë për të gjitha çështjet, normalizimi i plotë është i domosdoshëm, por njohja reciproke në qendër. S’po them që vetëm njohja reciproke është marrëveshja, do të ketë edhe gjëra të tjera, por qendra është njohja reciproke. Për këtë më kanë votuar qytetarët. Kështu e thotë Kushtetuta. E do Republika dhe demokracia. E dimë që Serbia do diçka tjetër, por jam për t’iu shërbyer qytetarëve të Kosovës. E dimë që Bosnja dhe Hercegovina e ka brenda Republikën Serbe. Serbia e njeh ‘de jure’, por ‘de fakto’ e saboton për ditë. Edhe pse e ka pranuar pavarësinë shikoni çfarë po i bën”, ka thënë Kurti. “Le të diskutohet, le të dëgjohen të gjithë, por s’mund të kërkohet nga kryeministri që të bëjë shkelje të vullnetit të popullit e të interesave të shtetit”, ka theksuar ai.

Ndryshe, të martën e 31 janarit Ambasada amerikane në Prishtinë ka organizuar një takim për të diskutuar për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik të saj”.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika