Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas miratimit të vlerës së koeficientit në mbledhjen e qeverisë të mbajtur të mërkurën.
Sipas Haradinajt, koeficienti është alarmues dhe mashtrues.
“Ligii sipas këtij koeficenti ka krijuar terren për keqkuptime ndaj kundërshtimeve opozitare të një vendimmarrjeje qeveritare arbitrare dhe përjashtuese. Kjo qasje është fyese! Ky koeficient është alarmues dhe mashtrues”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndërkaq, ka theksuar se me vendimin për koeficientin qeveria ‘i ka vendosur vulën mashtrimit’.
“Përndryshe, sot qeveria i vuri vulë mashtrimit. Fshehja e deritashme e koeficientit kishte për qëllim t’i zë në befasi të pakënaqurit me këtë vendim. E ata janë shumë! Krejt ky veprim i qeverisë, në mënyrë që të sabotojë mundësinë për sfidimin dhe shfrytëzimin e proceseve dhe mekanizmave ligjorë kundër këtij ligji i cili nëpunësit dhe profesionistët shtetërorë i trajton si ‘armiqësorë’, i anatemon”, ka shtuar Haradinaj.
Ndër të tjera, Haradinaj u shpreh se “qeveria kishte për qëllim t’i fusë në debate dhe përplasje edhe përfaqësuesit e ndryshëm sektorialë, duke bërë rritje të kamufluara për disa sektorë, nivele dhe pozita, përderisa shumicës ia konfirmon ato paga që i kishin tashmë”.