Pas spektaklit mbrëmë në “Etihad Stadium” në mes të Manchester Cityt dhe Real Madrid, sonte na pret një tjetër përballje interesante në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve. Liverpooli dhe Villarreali do të luajnë mes vete në ndeshjen e parë e cila do të zhvillohet sonte nga ora 21:00 në “Anfield Road”.
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka folur para mediave për ndeshjen ndaj Villarrealit që zhvillohet sonte, Klopp tha se skuadra e tij nuk do ta nënvlersojë kundërshtarin siç bën skuadrat paraprake.
“Ne e analizuam Villarrealin në detaje, sigurisht. Unë kisha shumë respekt për Unai Emery dhe Villarreal, por tani që mund t’i shoh ata siç duhet të jenë… Wow!” Ai është një trajner i fiksuar pas detajeve dhe me qasje të ndryshme ndaj lojës. Ndaj Juventusit dhe Bayernit kishin një avantazh sepse i nënvlerësuan, por ne nuk do ta bëjmë”.
Para ndeshjes, foli edhe trajneri i Villarrealit, Unai Emery i cili e lavdëroi Liverpoolin duke i cilësuar si favoritë të kësaj gare, por tha që skuadra e tij nuk është më surprizë për kundërshtarët.
“Ne përballemi me sfidën më të vështirë deri tani. Nuk ekziston më faktori i surprizës, ata janë favoriti kryesorë për ta fituar këtë garë. Ekipi është një pasqyrë i trajnerit të tyre, Jurgen Klopp. Ata janë më të mirët për momentin”.
“E shoh këtë gjë si motivim për mua, të provojë dhe të mposht Liverpoolin më të mirë të gjitha kohërave. Për këtë gjë duhet ta tregojmë versionin tonë më të mirë”.
Roberto Firmino është në dyshim shkaku i një dëmtimi në kyçin e këmbës, por është shqetësimi i vetëm i Liverpoolit në pritjen e ndeshjes së sotme ndaj Villarrealit. Ibrahima Konate, Jordan Henderson dhe Luis Diaz mund të paraqiten në vend të Joel Matip, Naby Keita dhe Diogo Jota në 11-shen e sotme, për dallim nga formacioni titullar në fitoren 2-0 të së dielës ndaj Evertonit. Tek skuadra e Villarrealit, Alberto Moreno do të mungojë për këtë ndeshje të rëndësishme teksa në dyshim janë edhe Francis Coquelin dhe Gerard Moreno.
Liverpool ka shënuar të paktën dy gola në nëntë nga 10 ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve. Villarreali është i pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve. Liverpooli është i pamposhtur në 10 nga 11 ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve.
Skuadra angleze, ka eliminuar Interin dhe Benficën për të arritur deri në gjysmëfinale ndërsa Villarreali ka eliminuar skuadra të mëdha si Bayern Munich dhe Juventus.