Banka Qendrore e Kosovës, gjatë ditës, i ka nisur Kuvendit të Kosovës, 4 emrat e kandidatëve të përzgjedhur për guvernator të këtij institucioni.
Përmes një njoftimi për media, nga BQK, kanë njoftuar se pas përfundimit të veprimeve procedurale, në listën e kandidatëve janë Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli e Shkendije Himaj.
Grafikë – Banka Qendrore e Kosovës
“Pas përfundimit të veprimeve procedurale, sot më 01.02.2023 është dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri, lista e kandidatëve për pozitën e Guvernatorit/es të Bankës Qendrore të Kosovës, si në vijim:
Ahmet Ismaili – 35.3 pikë,
Nexhat Kryeziu – 34.0 pikë,
Lulzim Ismajli – 33.0 pikë,
Shkendije Himaj – 26.0 pikë.
Për sqarim, maksimumi i mundshëm i pikëve për pozitën si më lartë ka qenë 40 pikë”.
Megjithatë të dyshimtë, tërë këtë proces po e konsideron, guvernatori i tashmë i institucionit më të lartë financiar, i cili ishte në mesin e aplikuesve për këtë pozitë.
“Unë mendoj se ky proces komplet është i dyshimt dhe besoj dhe vlerësoj se Gjykata do të vendos në favor timin dhe krejt ideja dhe vonesa është që të më pengojë mua në rrugëtimin tim që të shkojë tutje në instanca gjyqësore”, ka deklaruar guvernatori Fehmi Mehmeti.
Ai thotë, se përkundër insistimit të dijë arsyet se pse nuk është në mesin e kandidatëve të përzgjedhur, një gjë e tillë nuk i është ofruar.
“Ende sot po flasim nga data 26, është dita e 7 ashtu sic e parasheh ligji për shpalosjen e dokumenteve publike, dhe nuk më është ofruar asnjë informat asnjë vendim, që do të kishin sqaruar dhe kishin dhënë detaje se pse nuk kam ecur më tutje”, ka thënë ai.
RTV Dukagjini ka provuar të marr një qëndrim nga kryetari i komisionit, Flamur Mrasori, por i njëjti ka thënë se duhet ti drejtohemi vetëm zyrës për media.
Por, për kritikat nga Mehmeti në lidhje me këtë proces, nuk janë përgjigjur nga zyra për media në BQK, derisa procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për guvernator të BQK-së, është kritikuar edhe nga shoqëria civile, për shkak të moslejimit të monitorimit.