Një punëtor ka vdekur, të mërkurën e 1 shkurtit, në vendin e punës në Suharekë, pasi pësoi lëndime derisa ishte duke e testuar një makineri.
Kështu ka njoftuar raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës, nga i cili bëhet e ditur se ai është dërguar për tretman, ku mjekët e kanë konstatuar vdekjen e tij.
“Raportohet se një person në vendin e punës derisa ka qenë duke testuar një makineri, ka pësuar lëndime, me ç’rast i njëjti është dërguar për tretman mjekësor, ku dhe nga mjekët përgjegjës kanë konstatuar se trupi i viktimës është pa shenja jete”, thuhet në raportin e PK-së.
Lidhur me rastin, PK ka njoftuar se është arrestuar një person.
Ndërsa, trupi i viktimës me vendim të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
“ Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar IML për obduksion. Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili pas intervistimit, është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës.