Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar që të zbatohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
Molliqaj, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Kurti e bëri të qartë që e bën Asociacionin, pasi, sipas tij, kushtet që ka vendosur nuk janë të arsyeshme.
“Direkt nga foltorja e Kuvendit, kryeministri e shpalli planin. Edhe për skeptikun e fundit, sot u bë e qartë që asociacionin e bën Albin Kurti. Por, paska vendosur kushte për formimin e Asociacionit. Dhe kushtet që na i paska”, është shprehur ai.
“Kur ky thotë njohja si kusht, e ka fjalën për planin franko-gjerman. Kur ky thotë nuk ka Asociacion monoetnik, po thërret që duhet t’i ndërrohet emri. Kjo është mënyra e tij e operimit. Nuk ka vend për befasi. Logjika doli zhveshur”, ka shkruar tutje Molliqaj.
Po ashtu, sipas tij, plani dhe Asociacioni u pranuan, dhe ka kërkuar nga kryeministri që ta tregojë datën e nënshkrimit.
Ndërkaq, ai ka ftuar të gjithë qytetarët që janë kundër Asociacionit, të bëhen bashkë në organizimin e protestave, sepse sipas tij, “kundërshtimi dhe organizimi janë në horizont”.