Ish-ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti 1 dhe më pas në Qeverinë Hoti, Agim Veliu e ka cilësuar si të paguximshëm kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Agim Veliu, në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se sa ishte ministër i Kurtit, i kishte propozuar atij që shteti të ndërhyjë në veri të Kosovës, por që sipas tij Kurti nuk ka pasur guxim për ta bërë një gjë të tillë.
Veliu e ka quajtur kryeministrin Kurti mashtrues, sepse sipas tij me veprimet e tij nuk e ka integruar veriun e Kosovës por e ka përkeqësuar gjendjen edhe më shumë.
“Kryeministri iu referua qeverisë Hoti në të cilën isha ministër, por harroi ta përmend që kam qenë ministër edhe në qeverisjen e Kurtit, ky e di shumë mirë që mua mendja nuk më ka shkuar të bëj ‘budallakina’ të tilla si po bën ky në veri, por kam punuar për integrim të veriut përnjëmend. Ky shumë mirë e di që i kam ofruar të ndërmarrin aksione të ndryshme në veri por nuk ka pasur guxim, i kam thënë se është mashtrues, është i paguximshëm nuk ka guxim, edhe sot ia them të njëjtat fjalë”, ka thënë ai.
Ky reagim i Veliut vjen pas deklaratës së Kurtit i cili tha se LDK-ja merr vendime vetëm kur rrezikohet pushteti i tyre.