Shkrimtari dhe studiuesi, Primo Shllaku dhe avokatja Blerta Kraja kanë kthyer një kërkesë drejtuar institucioneve në peticion “për një gjuhë shqipe të përbashkët”.
Ata kanë treguar se ky peticion është firmosur deri më tani nga mijëra qytetarë, të cilët kërkojnë nga 4 qeveritë e vendeve ku gjuha shqipe është plotësisht ose pjesërisht gjuhë zyrtare, pra nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që të krijohet një komision ndërshtetëror, i cili të fillojë punën e vetë për unifikimin e gjuhës shqipe si mjet i komunikimit në një hapësirë të re.
“Unë mendoj që risi këtë herë është peticioni online, të cilën e ka nënshkruar 1100 vetë dhe është i hapur. Peticioni kërkon nga 4 qeveritë e vendeve ku gjuha shqipe është plotësisht ose pjesërisht gjuhë zyrtare, pra nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që të krijohet një komision ndërshtetëror, i cili të fillojë punën e vetë për unifikimin e gjuhës shqipe si mjet i komunikimit në një hapësirë të re, të hapur. Ndërshtetëror do të thotë që këto problemet e gjuhës, edhe pse teknikalisht janë probleme akademike, ato kanë edhe një aspekt politik të tyre, të cilit ne këtë herë i kemi thirrje në mënyrë publike që të sensibilizohet. Kryetarëve të shtetit, kryeministrave, presidenteve dhe kryetarëve të parlamentit, e të akademisë së shkencave”, u shpreh Shllaku për “ABC”.
Ndërkaq, avokatja Kraja tha se populli shqiptar i ka dhënë një përgjigje juridike me referendum në ’98, në kohën kur ka miratuar Kushtetutën e re. Në Kushtetutë, neni 14, pika 1, parashikohet që gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja. Edhe kjo dispozitë nuk e lidh me asnjë standard pararendës të tillë që jemi mësuar nga ’72 e mbrapa. Kjo dispozitë interpretohet bashkë me preambulën e Kushtetutës tonë që është një pjesë shumë e rëndësishme, shumë frymëzuese e këtij dokumenti. Në të cilën parashkikohen edhe të tjera aspirata shekullore të popullit tonë për identitet dhe bashkim kombëtar”.