Të mërkurën, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media, pas situatës së krijuar në kuvend pas deklaratave të opozitës dhe pamundësisë së tyre, për të formuar Komisionin Hetimor Parlamentar për energji elektrike.
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se kanë iniciuar kërkesën për themelimin e këtij Komisionit Hetimor për energji.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, u shpreh se se kjo parti ka shprehur gatishmëri për krijimin e këtij komisioni.
“Duke e parë që situata në kuvend dhe demokracia parlamentare është vënë në pikëpyetje nga partitë opozitare, e gjithashtu duke qenë në shërbim të qytetarëve për të zbardhur të vërtetën në sektorin e energjisë kemi vendosur që të precedojmë kerkesën për themelimin e Komisionit Parlamentar Hetimor për energji, me të gjitha kërkesat e opozitës të cilat i ka parashtruar por duke e zgjeruar fushëveprimin e komisionit”, ka thënë Lila.
Sipas Lilës, inicimi i këtij Komisioni Hetimor Parlamentar do të bëhet por duke pasur kërkesa dhe objekte shtesë të hetimit nga ana e tyre.
Siç thotë ajo, vlerësimet per në sektorin e energjisë duhet të kthehen prapa në korrik të vitit 2006, kur Republika e Kosovës ende e pashpallur, është bërë pjesë e Trakatatit të Komunitetit të Energjisë.
“Ne, deputetët e VV-së iniciojmë kërkesën për krijimin e Komisonit Hetimor Parlamentar. Por propozimi ynë përmban disa tema shtesë si objekt të hetimit. Kur kanë prezantuar kërkesën opozita me 40 nënshkrime as nuk kanë ardhur të kërkojnë bashkëpunim për të mos rënë në kurthin që ishin duke e përgatitur vetë”, ka thënë ajo.
Edhe deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, tha se partitë opozitare kanë paraqitur kërkesë të palogjikshme për themelimin e komisionit, duke thënë se kanë rënë në kurthin e tyre.
“PDK, LDK e AAK paraqiten një kërkesë ta palogjikshme. Për disa muaj me radhë opozita gjenden në një panik tash e disa muaj. Në bazë të kërkesës sonë gjithsesi do t’i takojë kryesimi opozitës. Ne vazhdimisht kemi qenë në mbështetje të themelimit të komisionit hetimor parlamentar. Opozita është vetë kurthuar. Kështu është nga viti 2010 edhe në bazë të ligjit”, ka thënë Rrustemi.
Ai ndër të tjera shtoi se kërkesa e opozitës nuk ka pasur as substancë as përmbajtje, edhe nëse do të kishte 6 nënshkrime nga ana jonë si parti prapë vetëm do të thellohej bllokada procedurale, sepse përsëri nuk do mbetej asnjë grup që ta drejtonte komisionin.