Rektori Qerim Qerimi, ka pritur në takim gjatë ditës së enjte kryeministrin, Albin Kurti, ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe prorektorët e UP-së.
Rektori i ka falënderuar Kurtin e Nagavcin për vitin dhe njëherëshit i ka njoftuar për progresin e UP-së dhe objektivat e menaxhimit.
“Ndërkaq, vizitën në Rektorat e konsideroi si nder dhe kënaqësi të veçantë i pari i qeverise, z. Kurti. Teksa e përgëzoi rektorin për sukseset e shënuara, ai theksoi mbështetjen e qeverisë që progresi i UP-së në të ardhmen të jetë edhe më i madh”, thuhet në njoftimin e UP-së.
Sipas Kurtit, UP-ja ka rëndësi historike për vetë identitetin e shtetit tonë.
“Universiteti i Prishtinës është pjesë shumë e rëndësishme e identitetit dhe krenarisë kombëtare, por gjithashtu është edhe një institucion, pa të cilin nuk mund të shpjegohet historia jonë e re. Pesë dekadat e fundit nuk mund të shpjegohen në aspektin kulturor, politik, shoqëror e ekonomik pa UP-në”, tha kryeministri.