Lizzo është pop ylli i fundit që u bë me figurë prej dylli në muzeun “Madame Tussauds” në Las Vegas.
Ylli i hitit “About Damn Time” ishte e pranishme në ceremoninë e zbulimit, me ç’rast pozoi përkrah vetes.
“Vetëm një nga momentet më të tmerrshme të jetës sime. Faleminderit ‘Madame Tussauds’. Tani e di si duket sozia e Lizzos”, shkruhej në postimin e Lizzos në “Twitter”, ku ajo shfaqet gati duke e puthur figurën e saj.
Për krijimin e kësaj figure prej dylli, muzeu është inspiruar nga dukja e këngëtares në ceremoninë “Grammy” të vitit 2020, ku ajo u shfaq e veshur me një fustan elegant të bardhë të markës “Atelier Versace”, i cili ishte i mbuluar nga kristalet “Swarovski” të qëndisura me dorë.
Atë natë, pop ylli Lizzo i fitoi tri shpërblime të rëndësishme muzikore si, “Albumi më i mirë bashkëkohor”, për incizimin “Cuz I Love You”, “Performanca më e mirë pop”, për këngën “Truth Hurts” dhe “Performanca më e mirë tradicionale e muzikës R&B”, për hitin “Jerome”.
Figura prej dylli e Lizzos do të qëndrojë në muzeun “Madame Tussauds” në Las Vegas, që gjendet në hotelin “Venetian”.
Kështu, ajo i bashkohet listës së të famshmëve të ekspozuar tashmë në këtë lokacion, si Missy Elliott, Beyoncé, RuPaul dhe të tjerë.