Presidentja e Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Islandë, është takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Islandës, Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir.
Në takim me ministren Reykfjörd Gylfadóttir siç njofton zyra e presidencësa, është rikonfirmuar gatishmëria e dy vendeve për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në politikën e jashtme.
Ndërkaë, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit dhe kontakteve përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, duke ritheksuar përkushtimin e palëkundur të vendit për promovimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë.
Ndër të tjera, ajo ka përmendur rëndësinë e madhe që ka për qytetarët e Kosovës avancimi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, duke thënë se Kosova është mishërim i vlerave që përfaqëson Këshilli i Evropës.
Tutje, Osmani dhe ministrja Reykfjörd Gylfadóttir kanë diskutuar edhe për situatën aktuale në rajon, Evropë dhe më gjerë, si dhe nevojën për të qëndruar të bashkuar kundër akterëve antidemokratik.
Në këtë pikë Osmani ka theksuar rëndësinë e avancimit të rrugës euroatlantike të Kosovës, duke përmendur hapat e ndërmarra për përafrim me BE-në dhe NATO-n, si dëshmi e vendosmërisë së palëkundur të popullit të Kosovës për këtë proces.