Ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Narqize Arënliu- Hoxhaj, ka vizituar të premten Klinikën e Psikiatrisë, në të cilën së fundmi është bërë riorganizimi i reparteve dhe shtimi i kapaciteteve me shtretër.
ShSKUK në një postim në Facebook, ka treguar se drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, e ka njoftuar drejtoreshën se në kuadër të riorganizimit është hapur Reparti i ri i sëmundjeve të varësisë, me ç’rast edhe është dyfishuar numri i shtretërve, nga 6 është rritur në 12 shtretër.
Kutllovci ka shtuar se në kuadër të ish-Repartit të Sëmundjeve të Varësisë, të premten është hapur Reparti i ri, që nuk ka ekzistuar më parë, pra Reparti i Çrregullimeve Akute-Psikotike, që do të ketë 6 shtretër.
Sipas njoftimit, u.d Arënliu- Hoxhaj e përgëzoi stafin e klinikës për riorganizim. Po ashtu, ka shprehur mbështetjen e ShSKUK-së për zgjerimin dhe avancimin e shërbimeve në Klinikën e Psikiatrisë.