Në vazhdën e thirrjeve për dënim të gjenocidit serb në Kosovë, me rastin e Ditës së të Pagjeturve, ka reaguar edhe kongresisti amerikan, Ritchie Torres.
Ai përmes një postimi në Twitter, ka kërkuar drejtësi për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“27 Prilli është datë që shënon Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, që nderon personat e pagjetur nga Lufta e Kosovës”, ka shkruar ai.
“Qëndroj krah popullit të Kosovës duke kërkuar drejtësi për të pagjeturit dhe familjet e tyre”, ka shtuar Torres.
April 27th marks Kosovo’s National Day of Missing Persons which honors the individuals unaccounted for from the Kosovo War. I stand with the people of #Kosovo in demanding justice for those lost and their families.
— Rep. Ritchie Torres (@RepRitchie) April 27, 2022
Kongresmeni Torres, vazhdon të jetë një nga miqtë më të zëshëm të Kosovës në Uashington.
Torres, i cili tashmë është edhe figura kryesore e lobimit për shqiptarët në Kongresin amerikan ka thënë se Kosovës i duhet sa më shpejt anëtarësimi në BE dhe në NATO.
Ndryshe, të mërkurën e 27 prillit, në Kosovë po shënohet Dita e të Pagjeturve, ndërkaq fati i më shumë se një mijë e 600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë ende nuk dihet.
Po ashtu, më 27 prill shënohet edhe përvjetori i 23-të i masakrës së Mejës në Gjakovë, ku në vitin 1999, 376 persona u vranë e masakruan nga forcat serbe në mënyrë mizore.