Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se tashmë ka filluar punën Grupi Punues mbi analizën e funksionimit të Qendrave për Punë Sociale.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punues mbi analizën e funksionimit të Qendrave për Punës Sociale, kapaciteteve njerëzore dhe nevojat e tyre, i themeluar nga Ministria e Drejtësisë.
Sipas njoftimit nga ministria, në fjalën e saj hapëse Haxhiu ka ofruar mbështetje për grupin punues ndërsa, ka theksuar se është hera e parë që institucionet e Kosovës po trajtojnë me seriozitet dhe dinjitet, politikat dhe shërbimet sociale.
“Gjatë këtyre ditëve, kemi pasur takime të vazhdueshme me akterë të ndryshëm të shërbimeve sociale. Ditën e djeshme siç e dini jemi takuar me kryeministrin Kurti dhe me ministrin Murati, që ka qenë takimi i parë institucional në këto vite sepse asnjëherë shërbime sociale nuk e kanë pasur vëmendje e duhur të nivelit qendror”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Po ashtu, ajo ka kërkuar që edhe Komunat ta kthejnë fokusin tek shërbimet sociale e familjare sepse sipas saj, janë në kompetencën e tyre.
Ndryshe, ministria e Drejtësisë ka njoftuar se raporti mbi analizën e funksionimit të QPS-ve, sipas ministres Haxhiu do të jetë i gatshëm gjatë muajit prill, dhe do të shërbej për hartimin dhe reformën e politikave sociale.
Gjatë këtij takimi, grupi punues ra dakord për dhënien e kontributit në mënyrë që raporti të përmbajë gjendjen sa më reale të QPS-ve.