Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar 23-vjetorin e masakrës dhe dëbimit të shqiptarëve civilë nga Mitrovica gjatë 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, e cila ndryshe është e njohur si “Nata e Tmerrit”.
“23 vite më parë, 8 muaj pas përfundimit të luftës, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, formacioni kriminal serb “Rojat e Urës” filloi aksionin për spastrimin etnik të veriut të Mitrovicës nga shqiptarët. Ngjarjet ndodhën para syve të pjesëtarëve francezë të KFOR-it”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“10 shqiptarë u vranë. Më i riu 13 vjeç. Më e moshuara 65 vjeç. Mbi 100 të tjerë u torturuan e plagosën. 11,364 shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Të gjithë të pambrojtur nga askush. Mijëra shqiptarë ende nuk janë kthyer në shtëpitë dhe trojet e tyre”, njofton LVV-ja.
LVV-ja ka shtuar se ky dëbim i shqiptarëve civilë e të paarmatosur, nga shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës ka përmbysur “demografinë aty në favor të asaj që kërkonte Serbia”.
“Ndarja e qytetit të Mitrovicës do të bëhej e mundur pas kësaj masakre dhe dëbimi duke krijuar artificialisht një gjoja shumicë serbe në pjesën veriore. Kjo u arrit përmes këtij krimi makabër në sy të forcave të KFOR-it dhe u fashit përmes ish drejtuesve politikë të atyre viteve”, vijon njoftimi.
Sipas LVV-së, plani i Ahtisaarit ka formalizuar këtë ndarje që në thelb e ka një masakër dhe dëbimin masiv të shqiptarëve.
“Atë botë Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe deputetët kundërshtuan dhe rezistuan për të mos ta miratuar këtë akt të turpit. Për fat të keq ligji kaloi dhe amnistia ndodhi.
LVV-ja ka theksuar se edhe tashmë 23 vite pas “ne jemi para një padrejtësie të pa adresuar. E njëjtë nuk mund dhe nuk duhet të vijojë pafundësisht”.
“Për ata që u flijuan vetëm pse ishin shqiptarë nga lagjet e veriut të Ibrit në Mitrovicë, për ata që sot gjenden nëpër Kosovë por jo në shtëpinë e tyre në Mitrovicë, për të sotmen e shqiptarëve që jetojnë aty dhe për të ardhmen e të gjithë vendit tonë drejtësia duhet vënë në vend”, vijon njoftimi i Lëvizjes Vetëvendosje.