Ish-kryeministri dhe njëherëshit deputet i LDK-së, Avdullah Hoti thotë se kushtet që ka vendosur kryeministri Albin Kurti, nuk kanë rëndësi në diskutimin që po bëhet për Asociacionin.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” të premten Hoti tha se ndryshimi i formatit të dialogut me Serbinë nga qeveria Kurti ndryshoi qasjen ndaj këtij dialogu.
Ai tha se është përgjegjësia e spektri politik të vendit që të marrë përgjegjësi për shtetin e Kosovës dhe të lëvizë përpara në procesin e dialogut, përfshirë edhe Asociacionin.
“Mendoj që janë jo relevante për diskutimin që po bëhet. Kosova ka filluar procesin e dialogut që nga viti 2011. Më 2013 është nënshkruar marrëveshja e përgjithshme dhe pastaj janë nënshkruar plot marrëveshje nëpër sektorë të ndryshëm që e kanë shtrirë sovranitetin e shtetit të Kosovës në gjithë territorin deri në masën që Kosova sot ka Zyrën Ndërlidhëse në Beograd. Tani jemi në një faze kritike të dialogut i cili për hir të vërtetës kishte strukturën shumë të mirë në qeverinë paraprake. Por kjo qeveri e ndërroi formatin e dialogut. Jemi në një pikë kritike kur duhet të bëjmë një hap të madh përpara. Sa i përket Asociacionit, është marrëveshja e vitit 2013 që është ratifikuar në Kuvend, pra që e ka bërë Asociacionin obligim të shtetit të Kosovës”, ka thënë Hoti.
Ish-kryeministri thotë se Kosova “në historinë e saj asnjëherë nuk ka qenë në një pozitë më të disfavorshme sa i përket procesit të dialogut dhe marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Uashingtoni ka kërkuar në 1999 që ne të nënshkruajmë marrëveshjen e Rambujesë, me premtimin që do të bombardohet Serbia. Një president amerikan në Tiranë ka thënë se mjaft është mjaft dhe Kosova duhet të bëhet e pavarur dhe Kosova është bërë e pavarur. Partneritetin që e kemi me Shtetet e Bashkuara është ekzistencial, nuk është vetëm një partneritet diplomatik siç mund ta kemi me plot vende të tjera nëpër botë që na kanë njohur, por është partneritet ekzistencial. Marrëdhëniet e ngushta me Shtetet e Bashkuara janë në thelbin e vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës”, ka shtuar ai.