Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) ka njoftuar se janë 15.5 milion euro më shumë të hyra tatimore për muajin janar.
“Muaji i parë i këtij viti ka reflektuar me të hyra të konsiderueshme tatimore, çka nënkupton se është një nismë e mbarë në realizimin e projeksionit për këtë vit”, ka njoftuar ATK.
ATK ka shtuar se 96.7 milion euro tatime, janë të hyrat e muajit janar që në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka rritje për 15.5 milion euro apo 19.2%. Ndërsa, kontributet pensionale janë 18 milion euro.
“Administrata Tatimore e Kosovës këtë vit përveç prioriteteve kryesore që ka në mbledhjen e të hyrave, borxheve dhe vazhdimin e avancimit të shërbimeve profesionale për tatimpagues, ka në synim edhe implementimin e Planit Strategjik, implementimin e projekteve për përmirësimin e përmbushjes në sektorët me rrezik, etj”, thuhet tutje në njoftim.
Tutje Administrata Tatimore e Kosovës ka falënderuar tatimpaguesit për kryerjen e detyrimeve tatimore, “në të njëjtën kohë kërkon nga ta që të vazhdojnë të jenë kontribues në zhvillimin e vendit tonë”.