Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se ndihma ushtarake shtesë për Ukrainën me vlerë prej afro 2.2 miliardë dollarësh do të përfshijë raketa me rreze të gjatë veprimi të afta për të dyfishuar rrezen e sulmit të saj.
Kësisoj, shuma totale e ndihmës ushtarake që ShBA-ja ka dhënë ndaj Ukrainës arrin në më shumë se 29.3 miliardë dollarë që nga shkurti 2022.
Paketa përfshin njashtu edhe bomba me diametër të vogël të lëshuar nga toka (GLSDB) të cilat mund të godasin objektivat 150 km larg.
Por zyrtarët nuk pranuan të tërhiqen nga spekulimet se municionet mund të përdoren për të sulmuar pjesë të Krimesë së aneksuar.
“Kur bëhet fjalë për planet e Ukrainës për operacionet, është e qartë se ky është vendimi i tyre”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral Brig Pat Ryder.
“Kjo u jep atyre një aftësi me rreze më të gjatë, aftësi zjarri me rreze të gjatë, që do t’u mundësojë atyre, përsëri, të kryejnë operacione në mbrojtje të vendit të tyre dhe të marrin përsëri territorin e tyre sovran, zonat e pushtuara nga Rusia”, ka theksuar ai, shkruan BBC.
Vendet perëndimore kanë përjashtuar në mënyrë të përsëritur mundësinë që Ukrainës t’i ofrojnë armë sulmuese, si avionë luftarakë, të cilët ajo mund t’i përdorë për të goditur vetë Rusinë.
Në një postim në Twitter, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e falënderoi ShBA-në dhe presidentin Joe Biden për ndihmën shtesë.
“Sa më me rreze të gjatë veprimi të jenë armët tona dhe sa më të lëvizshme të jenë trupat tona, aq më shpejt do të përfundojë agresioni brutal i Rusisë”, shkroi Zelensky.
“Së bashku me ShBA-në ne qëndrojmë kundër terrorit”, ka theksuar ai.
Ndryshe, më 24 shkurt bëhen një vit prej kur ka nisur lufta në Ukrainë, e së fundi Rusia ka thënë se po përgatit një ofensivë të re. E për të tejkaluar më lehtë përvjetorin e nisjes së luftës, shtetet perëndimore si Gjermania, Polonia kanë dërguar bashkë me ShBA-në paketa të ndihmës ndaj Ukrainës.